Masakra në Krushën e Madhe nga forcat e armatosura serbe gjatë 99-ës, u cilësua si një krim me paramendim, një masakër e planifikuar për të shfarosur shqiptarët në tokat e tyre.
Në 27 vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe në një manifestim përkujtimorë për 841 të vrarët nga Serbia, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se tragjedia nuk ka përfunduar pa gjetur edhe 64 personat e zhdukur në Krushë.
Osmani përmendi edhe fatin e Ukshin Hotit në listën e këtyre të pagjeturve, duke kërkuar drejtësi për të gjithë të zhdukurit nga forcat shetërore të Serbisë.
“241 banorë të Krushës u masakruan nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në mesin e tyre edhe shtatë fëmijë e pesë gra, përfshirë një grua shtatzënë, ata nuk u vranë në betejë, por në shtëpitë e tyre. Ky ishte një krim me paramendim, një masakër e planifikuar, një akt i qëllimshëm për të shtuar jetë, kujtesë, vet ekzistencën e banorëve të këtij fshati, një përpjekje për të shfarosur shqiptarët në tokat e tyre. Tragjedia nuk përfundon këtu, edhe sot 64 banorë të Krushës së Madhe figurojnë ende në listat e të zhdukurve, janë plagë të hapura, mungesa të papërshkrueshme, që rëndojnë çdo ditë mbi familjet e tyre në radhë të parë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si komb e si shtet. Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit intelektualit të papërsëritshëm, mendimtarit të guximshëm. Një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës. Sa herë që përmendet emri i tij dhe gjithë atyre të zhdukurve me dhunë, i rikthehet shtetit dhe familjeve kërkesa për drejtësi”, u shpreh Osmani.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kujtoi ditën kur u vranë banorët e këtij fshati, pa faj, e vetëm se ishin shqiptarë.
Sipas tij, rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur, prandaj ishte një sakrificë që duhej bërë.
“Në fund të marsit të vitit 1999, forcat e armatosura serbe në formacione të rregullta dhe të kombinuara mësynë këtë fshat liridashës me të gjitha mjetet luftarake në dispozicion, me synim vrasjen e djemve dhe burrave, grave e fëmijëve. Gjaku rrodhi vërtetë, ndërsa fshati u zbraz nga banorët dhe shtëpitë u plaçkitën edhe u dogjën. Këtu merr kuptim edhe pesha e lirisë sonë. Në fillim jetonin lapidarët e birit tuaj, kombit, Ukshin Hotit, i cili ishte i vetëdijshëm që për të fituar lirinë duhej bërë sakrifica, privime të dhimbshme, ai dha shembullin personal për liri, për dinjitet, njerëzorë e ndërkombëtarë. Rrënjët e lirisë rriten e forcohen nga gjaku i derdhur, prandaj ishte sakrifica që duhej bërë, në të kundërtën, do të jetonim edhe për shumë vite në robëri. U vranë gra e fëmijë, pleq e të rijnë, të pafajshëm e krejt të paarmatosur, ata vetëm një faj kishin, ishin shqiptarë”, tha Latifi.
Ndërsa, ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, njëkohësisht djali i Ukshin Hotit, Andin Hoti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtarë që të aktivizohet në rolin e vet e të ushtrojë presion mbi Serbinë, që të hap arkivat e saj dhe të dorëzojë kriminelët për të zbardhur fatin e 1 mijë e 570 personave të tjerë që ende figurojnë të zhdukur.
“Krusha e Madhe është një nga plagët më të mëdha të historisë sonë, 241 të vrarë dhe 64 të zhdukur përfshirë edhe babin tim… Dënimet qe sot janë dhënë, janë një pikë në oqean, nuk mjafton se edhe 1570 persona, nuk janë numra, por njerëz, vazhdojnë të na mungojnë çdo ditë që 27 vjet. Ne i bëjmë thirrje edhe nga Krusha, faktorit ndërkombëtar qe të luaj rolin e saj aktiv dhe të mos mbaj neutralitet, sepse nuk mund të ketë mes viktimës dhe agresorit. Dhe të ushtrojë një person mbi Serbinë, të hapen arkiva të saj të klasifikuara, të dorëzohen kriminelët dhe të zbardhet fati i më të dashurve tanë”, tha ai.
Ndërkohë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj theksoi se duhet të mbahet miqësia me Amerikën që të mos përsëritet historia e trishtë.
“Është e drejtë që të shprehet shqetësim se si ka mundësi qe ende të gjykohet UÇK-ja. Është shumë e pashpjegueshme gjithë kjo. Në nderim të të rënëve sot, në gjithë Kosovën qindra masakra, si të veprojmë më tutje si t’i nderojmë, a ka diçka që mund të bëjmë më me nder si popull? Disa popuj thonë se hakmarrja më e mirë është suksesi, ne duhet me punu shumë që kurrë më mos me qenë të pambrojtur. Duhet me i ra gurit e drurit që ky vend të mos jetë i pambrojtur më. Ne nuk bënë të bëjmë hajgare me sigurinë, është e pashpjegueshme me thënë se çka është siguria, nuk mund të merresh siguri për asgjë. Ne nuk mundemi me u përballë të vetëm me një armik, më i madh se na po që ka edhe miq. Për siguri mos me u përsëritë Krusha e tjera duhet me e mbajt fort me Amerikën “, theksoi Haradinaj.
E përfaqësuesi i fshatit, Sejfullah Sejfullahu konfirmoi se janë qindra banorë të fshatit që kanë vdekur si pasojë e gjendjes së rënduar shpirtërore pas masakrës së Serbisë.
Në emër të banorëve, ai kërkoi që të mos arrihet asnjë marrëveshje me Serbinë, pa u krijuar një tribunal për gjenocidin në Krushë.
Ai iu drejtua presidentes Osmani, duke i thënë se ani pse ka presion por “më bërllok nuk bëhet”.
“Në fillim UNIMKU e EULEX-i na gënjyen na mashtruan e manipuluan, vinin në Krushë, kinse po mbledhin dëshmi, i morën dëshmitë dhe i zhdukën ato në interes të shtetit serb. Është vrasje e dyfishtë për ne krushianët, kur institucionet ndërkombëtare në vend se të merren me krimet e gjenocidit, ato fondet i investuan në fabrikimin e dëshmive për krerët e UÇK-së dhe luftëtarët.. Ju konfirmoj në emër të banorëve të Krushës së Madhe se të paktën janë qindra krushiane e krushianë që kanë vdekur si pasojë e gjendjes së rënduar shpirtërore, pas masakrave të Serbisë përfshirë këtu edhe disa dëshmitarë kyç. Kërkojmë nga ju që asnjë marrëveshje të mos arrihet me Serbinë pa krijuar një tribunal për gjenocidin në Krushë dhe pa u dënuar përgjegjësit. E dimë që keni presion e do të keni më shumë po më bërllok nuk bëhet”, shtoi Sejfullahu.
Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 241 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.
Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ndërkohë sot, 64 persona figurojnë në listën e të zhdukurve nga kjo masakër.
















