Hasan Tahsini, ky dijetar dhe atdhetar i flaktë për veprimtarinë e tij në të mirë të idealit kombëtar, bën që të vlerësohet edhe pas 200 vjetësh të lindjes dhe 130 vjetësh të vdekjes. Është shquar për ato krijime kushtuar psikologjisë, astronomisë, përgjithësisht shkencave ekzakte, ndërsa në vitin 1874 shpërndau një fletë fluturuese ku kishte përfshirë alfabetin origjinal që e kishte titulluar në gjuhën frënge dhe turke: “Alfabeti metodik shqip”.
Vepra e tij është vlerësuar nga studiuesit shqiptarë, duke realizuar botime të ndryshme dhe duke organizuar konferenca shkencore rreth figurës së tij. Së fundi u botua monografia “Profesor Hasan Tahsini”, në tri vëllime (Tiranë, 2009) e autorit Laurant Bicaj, që është botimi më i gjerë që është bërë deri tani për Hasan Tahsinin.
Shteti shqiptar i ka dhënë titullin “Mësues i Popullit” (1961) dhe Urdhrat “Për veprimtari patriotike” të kl.II (1962), dhe “Naim Frashëri”, kl.I (1995).
* * *
Hasan Tahsini u lind në Ninat të Konispolit, më 1811, 200 vjet më parë, ndonëse ka edhe versione të tjera për lindjen një ose dy vjet më vonë. Fëmijërinë e tij e kaloi në Shqipëri, duke ndjekur të atin nga Janina në Shkodër, pranë Mustafa Pashë Bushatit, ku qe mësues i fëmijëve të tij. Ndjekja dhe zbulimi i dokumenteve për punën që ka bërë i ati në këto pashallëqe do të ishte me shumë vlerë për të vërejtur ndikimin që kanë pasur këto lëvizje nga Jugu në Veri, pasi duhet të ketë qenë një njeri me influencë dhe duhet të ketë pasur ndonjë status të veçantë. Të dhënat e sotme janë më shumë opinione se sa të dokumentuara. Lëvizi nga Shkodra në Berat në detyrën e myftiut, ku mori me vete edhe fëmijët e tij. Pas vdekjes së të atit, H.Tahsini kthehet në vendlindje, por tashmë me bindjen për të lënë Ninatin. S’kaloi shumë kohë dhe do të vendoset në Stamboll dhe shumë shpejt do të shquhet si veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Në kryeqytetin e perandorisë osmane shkoi për t’u arsimuar dhe për të fituar dije, prandaj fillimisht ndoqi një nga medresetë më të dëgjuara të Stambollit me afat katërvjeçar.
Duke parë zgjuarsinë e Hasan Tahsinit dhe përfundimin me shumë sukses të shkollës, e zgjodhën që ta dërgojnë në Universitetin e Sorbonës, ku do të studiojë për shkencat ekzakte. Udhëtimin e dytë për në kryeqytetin francez e bëri në vitin 1857, jo më si student, pasi kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Shkencave të Natyrës, por i atashuar si imam i ambasadës turke në Paris. Qëndrimi në Paris për një kohë shumë të gjatë bëri që ai të njihte jo vetëm personalitete të ndryshme, por të njihej edhe me zhvillimet në fushën filozofike të Francës së asaj kohe.
U kthye nga Parisi në shkurtin e vitit 1869. Rrjedhja e ngjarjeve fillimisht shkoi në favor të H.Tahsinit, pasi emri i tij ishte bërë i njohur si njeri i përgatitur dhe opinioni kërkonte njerëz me dije, prandaj u zgjodh rektor i Universitetit të Stambollit, universitet i porsahapur (1870). Por lavdia e tij nuk zgjati shumë, pasi programi shkencor i paraqitur nga Hasan Tahsini shkaktoi indinjatë dhe revoltë te një pjesë e dëgjuesve që përfaqësonin një klan të prapambeturish, por që kishin peshë në piramidën qeveritare. Këto bënë që shumë shpejt H.Tahsinin ta shkarkonin nga detyra e rektorit (11 dhjetor 1870) dhe universiteti të mbyllet. Hasan Tahsini mbeti pa punë, por shpejt adoptoi një ndërtesë të vjetër, ku sipas Sami Frashërit, ”Jetën e tij e kaloi midis librave të shumtë dhe instrumenteve shkencore, duke studiuar dhe dhënë mësim”.
Në vitin 1874 Hasan Tahsini ndodhej në Shqipëri. Veprimtaria politike dhe arsimore e H. Tahsinit dhe e K.Kristoforidhit ra në sy edhe të konsullit francez në Janinë, August Dozonit, sipas të cilit, ata “po përpiqeshin të përpunonin gjuhën shqipe deri në nivelin e një gjuhe të shkruar dhe të përhapnin gjithashtu arsimin në gjuhën amtare, duke i ngritur një barrikadë helenizmit”. Deri më sot nuk kemi ndonjë të dhënë tjetër nëse është marrë me të vërtetë dhe çfarë pune ka bërë për hartimin e një gramatike dhe fjalori të shqipes, që kanë qenë ëndrra të rilindësve tanë. H.Tahsini më pas udhëtoi përsëri për në Stamboll, ku kaloi çastet e fundit të jetës së tij.
Vdiq në vitin 1881, në moshën 70-vjeçare, në Eren-Qoj, një nga fshatrat më të bukura të Stambollit nga ana e Ysqydarit,
* * *
Në këtë shkrim nuk do të merremi me gjithë diapazonin e veprës së tij, por do të përqendrohemi kryesisht në kontributin e tij në fushën e shkrimit të shqipes.
Përpjekjet e Hasan Tahsinit për këtë problem nisin që herët, në fillimet e gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Në Stamboll, në këto vite ai do të bashkëpunojë edhe me patriotë të tjerë, si me Ismail Qemalin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën etj. Lëvizja jonë kombëtare ende nuk ishte në ngritje, por këta veprimtarë po jepnin sinjalin se së shpejti lëvizja politike e shoqëruar me një lëvizje kulturore do të rritej.
Veprimtaria e Hasan Tahsinit në fushën e shkrimit të shqipes duhet parë në dy rrafshe: e para, në përpjekjet e tij në bashkëpunim edhe me patriotë të tjerë për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët të shqipes; e dyta, si hartues i një alfabeti të veçantë të shqipes. Nga të dhënat që njohim deri më sot mendohet se rreth viteve ’50 të shekullit XIX kemi përpjekje për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave si dhe për “themelimin e një shoqërie kulturore në Stamboll, qëllimi i së cilës ishte të grumbullonte mjetet e nevojshme për shtypjen e librave dhe mbajtjen e shkollave”.
Ky problem nuk mund të zgjidhej me përkrahjen e perandorisë osmane, por do të zgjidhej nga vetë shqiptarët dhe qe një nga çështjet që u diskutua më shumë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX. Të dhëna me interes na jep Jani Vretoja në kujtimet e tij për historinë e alfabetit të shqipes (dorëshkrim), të cilin e kemi pasur parasysh për kontributin e Hasan Tahsinit në këtë fushë. Për mbledhjen e vitit 1867 ai shkruante se, “nevojën e përdorimit të një alfabeti të vetëm të përbashkët që të kishte aq shkronja të thjeshta njëformëshe sa ka gjuha jonë shqipe zanore dhe bashkëtingëllore, e ndjenë në vitin 1867 njerëz të shquar të kombit tonë që ndodheshin dhe banonin në Stamboll…si Ismail.Beu…P.Vasa…ligjëruesi Hasan Tahsini prej Filati, njeri me kulturë arabe, persiane, turke dhe franceze dhe K.Kristoforidhi…”
Diskutime u zhvilluan për katër variante për të cilët ishin të përgatitur dhe secili kishte shfaqur mendimin e tij. Pikënisja qe viti 1867 dhe vazhdoi edhe me orvatje të tjera deri në vitin 1879, kur u miratua alfabeti i Stambollit. Më shumë përkrahës pati varianti për alfabetin latin, i përfaqësuar nga I. Qemali, K. Kristoforidhi, P. Vasa etj. Dhe kjo qe zgjidhja më e drejtë, pasi ai u përdor që me dokumentin e parë të gjuhës shqipe, me “Formulën e pagëzimit” të vitit 1462, ndonëse në atë kohë ajo nuk njihej. Variantet për alfabetin arab dhe variantet e tjera u kundërshtuan edhe nga Hasan Tahsini. Ai në të gjitha mbledhjet që ka marrë pjesë gjatë atyre 12 vjetëve, ka qenë kundërshtar i rreptë i gjithë varianteve të tjera, përveç atij origjinal. Ai donte që alfabeti të ishte i veçantë, me shkronja të reja, të ndryshme nga ato që ekzistonin.
* * *
Komiteti i Stambollit në vitin 1877 krijoi një komision për hartimin e alfabetit të përbashkët të shqipes, në përbërje të të cilit ishte edhe Hasan Tahsini. Me mjaft interes është një artikull i autorit botuar në vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Të dhënat për këtë shkrim i kemi marrë nga artikulli i Z.Litos: “Arma e diturisë dhe e përparimit”, ku autorja jep të përkthyer disa nga pasazhet e këtij shkrimi, të botuar te gazeta “Prizren” dhe të ribotuar edhe te gazeta “Basiret” në turqisht, që dilte në Stamboll. H.Tahsini i dërgoi një letër të hapur këtij organi, ku shprehte kënaqësinë për vendimin e Komitetit të Stambollit për hartimin e një alfabeti të përbashkët të shqipes. Për këtë H.Tahsini shkruante: “Në të vërtetë, mbledhja e vitit të kaluar (e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, T.O.) nuk e la në asnjë mënyrë në harresë problemin e mjeteve që duhen për të përhapur arsimin në Shqipëri, por gjithnjë ka kërkuar dhe vepruar…për të rregulluar dhe siguruar shpenzimet e duhura që nevojiten për të përpiluar një fjalor shqip, për të hartuar rregullat gramatikore dhe sintaktike të kësaj gjuhe, që është më e përsosura midis gjuhëve të Europës dhe për të redaktuar dhe botuar disa revista të dobishme me karakter shkencor dhe moral”.
Siç shihet nga ky fragment, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka pasur si objekt në fushën e kulturës jo vetëm zgjidhjen e alfabetit të përbashkët të shqipes, por edhe zhvillimin e arsimit në Shqipëri, duke u përpjekur të sigurojë mjetet financiare për hapjen e shkollave, por edhe për hartimin e një fjalori shqip dhe të teksteve mësimore, siç ishte gramatika.
Në këtë shkrim, duke i dhënë përparësi përhapjes së diturisë dhe të përparimit, ai nuk pajtohej me atë mozaik alfabetesh që përdoreshin deri në atë kohë, si dhe me përdorimin e alfabeteve të gjuhëve të huaja, që nuk i përshtateshin natyrës së gjuhës shqipe. Për autorin, asnjë variant që mund të këshillohej të përdorej për shqipen nuk ishte i pranueshëm, përveç atij të posaçëm. Ai gjithnjë kërkonte të bindte lexuesin se shqipja nuk ka nevojë për çfarëdo alfabeti, por një i tillë që t’i përshtatej natyrës së gjuhës shqipe dhe të ishte larg ndikimeve politike dhe fetare. Përsëri në këtë artikull shkruante: “Po të mos krijojmë një alfabet për një gjuhë, i sigurt, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat në të do të duken të huaja…dhe kështu nuk do të jetë e mundur të përfitojmë atë që dëshirojmë që të jetë për këtë shekull i përshtatshëm“. Për H.Tahsinin nuk ka rëndësi madhësia e shkronjave, por vlera dhe rëndësia që ka për gjuhën shqipe. Dhe për këtë, në shkrimin e botuar në “Basiret”, theksonte: “Sado që janë të vogla si këmbët e milingonës, shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe e diturisë, prandaj t’i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë, është më e dëmshme se sa të zgjedhësh një armë dhe pa e provuar, të luftosh me të. Bile, – shtonte ai, – një armë jo e mirë sjell humbjen e një beteje, kurse një alfabet i gabuar shkatërron lumturinë e popullit”.
Këtë bindje për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, duke pranuar një alfabet origjinal, nuk e ndryshoi, ndonëse e miratoi alfabetin e Stambollit dhe nuk e kundërshtoi atë.
* * *
Hasan Tahsini ka hyrë në historinë e alfabetit të gjuhës shqipe me atë fletë fluturuese të shpërndarë afro një shekull e gjysmë më parë me titull: “Alfabet metodik shqip”. Që nga titulli kuptohet pikësynimi i autorit, që në trajtimin e problemit të jetë metodik dhe në ato pak rreshta ia ka arritur qëllimit.
H.Tahsini ka pasur objektiva të caktuara që alfabeti i tij të realizojë dy kritere: atë shkencor, që një tingull-fonemë ta paraqesë me një grafemë, si dhe atë atdhetar, që alfabeti të ishte jashtë çdo ndikimi politik dhe fetar. Njëkohësisht, ky sistem shkrimor, sipas H.Tahsinit, ishte praktik, i lehtë dhe i shpejtë në të shkruar dhe në botime.
Titujt dhe nëntitujt të vendosur në këtë fletë janë dhënë në frëngjisht dhe turqisht. Në
gjysmën e pjesës së sipërme janë shënuar zanoret dhe bashkëtingëlloret e shqipes
dhe poshtë shkronjat e shtypit, theksat dhe shenjat e pikësimit. Alfabeti i H.Tahsinit
ka 36 grafema, por shenja ka më shumë.
Në gjysmën e pjesës së poshtme të fletës janë shkruar dy thënie: njëra e filozofit gjerman Gotfrid Vilhelm Laibnic (Gottfried Wilhelm Leibniz 1646-1716), që ka botuar edhe disa fjalë shqipe dhe është e tillë: “Laibnici i madh, filozof i Allemanjes (Gjermanisë) ka than: më epni nji pal shkroinjza të mira t’iu jap një gjuhën fort të mirë, me epni një gjuhën të mirë t’iu jap një civilazicion (qytetërim ) fort të mirë” dhe tjetra, thënia e filozofit frëng Volnei (Constandin François de Chasseboeuf comte de Volney, 1757-1820): “Gjith shkroinjzat të Evrops ian maskaralike don me thanë ian me të meta”. Këto dy thënie nuk janë marrë vetëm me qëllim krahasimi për të parë numrin e lëvizjeve të dorës që duhen për të shkruar këto thënie me alfabetin e gjashtë gjuhëve, por ato kanë një domethënie shumë kuptimplotë që përputhej me pikësynimin dhe idealin që kishte H.Tahsini. Qëllimi tjetër i autorit ishte të vërtetonte se me alfabetin e tij do të duhen shumë pak lëvizje të dorës për të shkruar të njëjtën gjë të dy thënieve të filozofëve të përkthyera në shqip, me alfabetet e turqishtes, frëngjishtes, greqishtes, bullgarishtes dhe armenishtes. Ai do t’i bindë shqiptarët se alfabeti i tij i veçantë ishte edhe ekonomik. Me alfabetin e tij duhen shumë pak lëvizje të dorës, d.m.th., sa gjysma e alfabeteve të tjerë. Gjithashtu, ky alfabet nuk është i huazuar, por është i thjeshtë dhe praktik, si dhe shumë ekonomik. Me këtë sistem shkrimor do të shtypeshin vepra me një afat më të shkurtër, shumë të domosdoshëm për lëvizjen tonë kombëtare, pasi këto botime do të ishin më pak të kushtueshme dhe vëllimi do të ishte më i vogël. Por realiteti nuk ishte i tillë, pasi duheshin shtypshkronja të veçanta, gjë për të cilën mungonin mjetet financiare. Gjithashtu, shumë shenja ishin mjaft afër njëra-tjetrës, sa do të ishte e vështirë të përdoreshin pa gabime.
Pasqyra e alfabetit të Hasan Tahsinit fliste për punën dhe përpjekjet e një njeriu reformator dhe erudit që me një fletë, falë kulturës së gjerë, kërkonte të hartonte një sistem të shkrimit të shqipes jashtë çdo ndikimi dhe huazimi. Në atë fletë, siç e theksuam, përfshiheshin edhe theksa të ndryshëm, si dhe shenjat e pikësimit që grafikisht janë të njëjta me shenjat e sotme. Dëshira e autorit ishte e tillë që t’i vërë themelet shkrimit të shqipes, por shumë e vështirë për t’u realizuar, duke ditur pengesat që duheshin kapërcyer.
Problem mbetet autorësia e kësaj flete alfabetike, kur nuk është shkruar as emri i autorit, as data e hartimit. Edhe ne kemi shprehur mendimin tonë, duke u përpjekur ta argumentojmë se autor i saj është Hasan Tahsini. Një punë të tillë mund ta bënte një njeri i ditur dhe i zgjuar, me horizont dhe me përgatitjen e nevojshme shkencore, siç ishte Hasan Tahsini. Kjo fletë është një pasqyrë e vogël “enciklopedike” e shkrimit të shqipes.
* * *
H.Tahsini duhet të ketë punuar për hartimin e tij për një kohë të gjatë, pasi ai vetë pohon duke debatuar me Jani Vreton se: “Për të shpikur shkronja të reja, duhet një kohë e gjatë”. Ndërsa për kohën kur është shpërndarë kjo fletë, mendimet e studiuesve sillen rreth viteve 1870-1874; më 1870, 1872 ose 1874. Duke u mbështetur edhe në disa të dhëna të tërthorta, më e pranueshme është viti 1874.
Edhe për burimin e këtij alfabeti mendimet nuk janë të njëjta. Disa pohojnë se ka një fizionomi të ngjashme me alfabetin punik-armeik-hebraik dhe jo i përbërë me vija gjeometrike. Ka edhe ndonjë mendim tjetër. Alfabeti i Hasan Tahsinit është i tipit sui generis, sepse autori luftoi që alfabeti i tij të ishte i veçantë, jashtë çdo ndikimi. Megjithatë, ka elemente nga alfabetet e lashtë e në veçanti nga ai finik.
Deri vonë është menduar se ekziston vetëm një variant i këtij alfabeti, por edhe një kopje e vetme.
Gjatë punës sonë për historinë e alfabetit të shqipes, në Arkivin e Shtetit kemi ndeshur edhe me një variant të përafërt të alfabetit të H.Tahsinit. Është një kopje e dytë e fletës së njohur, ku dikush kishte vënë dorë duke fshirë disa shkronja e duke i zëvendësuar ato, dukuri që e vëmë re edhe në ekzemplarin e parë, por që janë të palexueshme. Tashti janë korrigjuar tetë shkronja, të cilat janë shkruar me bojë. Ka edhe ndonjë ndryshim tjetër. Kështu, variantit të parë i janë bërë ndryshime, por duke ruajtur numrin e shkronjave. Për këtë arsye e kemi quajtur variant të dytë. Më hollësisht e kemi përshkruar në monografinë tonë: “Udha e shkronjave shqipe. Histori e alfabetit”.
* * *
Alfabeti i H.Tahsinit nuk pati ndonjë përhapje të gjerë. Edhe ata që janë marrë me historinë e alfabetit të shqipes deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar nuk e përmendin këtë alfabet, që për mendimin tonë, nuk e kanë njohur. Megjithatë, me punën këmbëngulëse të disa studiuesve të mëvonshëm, Hasan Tahsini ka zënë vendin që i takon në historinë e shkrimit të shqipes, si hartues i një alfabeti të veçantë.