Në Prishtinë është hapur ekspozita “Paraja rrëfen: 100 vjet jetë dhe ngjarje”, e organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në bashkëpunim me Banka e Shqipërisë, e cila paraqet evolucionin e parasë shqiptare gjatë një shekulli dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik, institucional dhe shoqëror.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, anëtarë të organeve drejtuese të BQK-së dhe mysafirë të tjerë, njofton BQK.
Guvernatori Ismaili theksoi se ekspozita përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të evolucionit monetar dhe institucional, duke reflektuar rolin themelor të bankave qendrore në ruajtjen e stabilitetit financiar, ndërtimin e besimit publik dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet dy bankave përfaqëson partneritet strategjik që përfshin harmonizimin rregullativ, forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, avancimin e edukimit financiar dhe shkëmbimin e përvojave institucionale, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm financiar dhe përshpejtimit të integrimit evropian.
Kryeministri Kurti vlerësoi bashkëpunimin institucional mes dy vendeve, duke theksuar se ekspozita është një rrëfim për mënyrën se si shoqëritë kanë ndërtuar besim ndër vite dhe si janë forcuar institucionet përmes sfidave.
Ai tha se raporti dhe bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk është as i rastësishëm e as i përkohshëm, por buron nga historia e përbashkët dhe vazhdon përmes institucioneve të dy republikave.
Nga ana e tij, guvernatori Sejko theksoi se ekspozita shkon përtej historisë institucionale, duke pasqyruar jetën e përditshme të shqiptarëve dhe mënyrën se si ata kanë paguar, kursyer, përballuar kriza dhe ndërtuar aspirata për stabilitet e mirëqenie. Ai shtoi se përmes dokumenteve, objekteve, imazheve dhe rrëfimeve paraqiten zhvillimet monetare dhe ekonomike të vendit.
Në përmbyllje të ceremonisë, mysafirët u njohën me materialet e ekspozitës të prezantuara nga stafi i Bankës së Shqipërisë dhe realizuan një vizitë të përbashkët në ambientet e saj. Ekspozita do të jetë e hapur në BQK për publikun e kufizuar gjatë kësaj jave dhe synon të ofrojë një përvojë edukative financiare dhe monetare.
Hapja e ekspozitës në Prishtinë pason prezantimin e saj në Tiranë, në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë dhe parasë shqiptare, dhe përkon me javën e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke i dhënë kësaj ngjarjeje rëndësi të veçantë institucionale dhe historike.
















