Në fondin e Muzeut Historik të Shkodrës ruhen gjurmët më të hershme të jetës njerëzore në veri të vendit. Objektet arkeologjike të periudhës së Neolitit të dala nga nëntoka pas mijëra vitesh përbëjnë dëshmitë më të lashta të historisë së dokumentuar në këtë muze.
“Objektet më të vjetra janë arkeologjiket, periudha më e vjetër e objekteve në muze është e Neolitit, 8000-5000 vjet përpara. Periudhë relativisht e varfër në Shqipërinë veri-perëndimore, ka vetëm 19 objekte dhe asnjë vendbanim deri më sot. Këto janë kryesisht vegla pune: gjilpëra, prerëse, dalta, çekiçë, sëpata”, deklaroi Ndriçim Mlika, specialist i Muzeut Historik.
Periudha e Neolitit në zonën veriperëndimore paraqitet me gjetje të kufizuara, që e bën këtë fazë historike një segment të rrallë në fondin arkeologjik.
“Neoliti është shumë i rrallë. Ndërsa në lindje të Shqipërisë është shumë i pasur. Aty është zbuluar dhe vendbanimi më i vjetër në Evropë, në brigjet e liqenit të Ohrit”, tha ai.
Fondi arkeologjik është një nga pikat më tërheqëse që zgjon interes dhe kureshtje tek vizitorët.
“Në përgjithësi janë shumë tërheqëse si objekte që i përkasin antikitetit, periudha arkaike dhe ato që I përkasin periudhës romake. Periudha romake ka objekte që mund t’i gjesh në çdo muze, ndërsa periudha ilire ka specifikat e veta të veçanta”, shtoi Mlika.
Koleksioni arkeologjik i kësaj periudhe mbetet një dëshmi e çmuar e rrënjëve të hershme të qytetërimit, duke e kthyer muzeun në një pikë referimi për historinë më të lashtë të zonës./RTSH















