Nga një mjek i thjeshtë në Vytina, në “Biblën Botërore të Eksploruesve”: Historia e njeriut që udhëtoi në zemër të botës dhe mbrojti me shkencë vëllazërinë e gjakut mes grekëve dhe shqiptarëve.
Në historinë e shkencës moderne ballkanike, pak figura mbeten sa enigmatike aq edhe madhështore sa Panajot Potago, Panajot Lala (Panagiotes Potagos, 1838-1903). Mjek, filozof dhe i vetmi eksplorues i madh i Greqisë moderne, Potago nuk ishte thjesht një udhëtar; ai ishte një polihistorian që kërkoi të lidhte fillin e këputur të historisë antike me realitetet etnike të kohës së tij. I nderuar nga Shoqata Gjeografike e Parisit dhe nga Mbreti i Belgjikës, Leopold II, Potago mbetet i vetmi emër grek (edhe pse me origjinë familjare nga Berati) i regjistruar në analet botërore të eksplorimit për udhëtimet e tij titanike në Azi dhe Afrikë.
Një jetë midis shkencës dhe vetmisë
I lindur në Vytina të Arkadisë në vitin 1838, Potago rritej në një mjedis ku historia ishte e gjallë. Gjyshi i tij kishte qenë një nga prijësit (oplarxhigët) që hynë të parët në Tripolicë gjatë Revolucionit të 1821-it. Megjithëse studioi për mjekësi dhe shërbeu me vetëmohim gjatë epidemisë së kolerës në Paris, zhgënjimi nga intrigat politike të Greqisë së kohës e shtyu drejt një rruge tjetër: eksplorimit të botës së panjohur.
Pa instrumente barometrike apo astronomike, i vetëm dhe shpesh pa asnjë shoqërim, ai kreu tre udhëtime të paimagjinueshme. Nga shkretëtira e Gobit në Mongoli, në majat e Pamirit dhe deri në “Zemrën e errësirës” në Kongo, Potago sfidoi limitet njerëzore. Megjithatë, siç dëshmojnë faqet e veprës së tij “Περίληψις περιηγήσεων” (Përmbledhje e Udhëtimeve), sytë e tij kërkonin gjithmonë diçka më shumë se gjeografinë: kërkonin rrënjët e qytetërimit.
Teza e Potagos: Shqiptarët si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të Pellasgëve
Në shkrimet e tij akademike, të cilat ruajnë një vlerë të jashtëzakonshme etnolinguistike, Potago shfaqet si një mbrojtës i flaktë i origjinës pellasgjike të shqiptarëve. Ai nuk i sheh shqiptarët si një element të huaj, por si “vëllezërit e grekëve”, pjesë e të njëjtit trung antik që i dha dritë Europës.
“Pellasgët ishin kombi i parë që udhëhoqi Europën… vëllai ynë, të cilit epoka e sotme i detyrohet mirënjohje,” shkruan ai në faqet e tij monumentale.
Potago analizon me imtësi gjuhën shqipe, duke gjetur aty fosilet e gjalla të pellasgjishtes. Ai vëren se:
- Emërtimet Diellore: Lidhja mes emrit shqiptar “Diell” dhe ishullit të Delosit (vendi i dritës së Apollonit).
- Linguistika Krahasuese: Përdorimi i fjalës “Pliak” (Pleq/Plakë) nga shqiptarët, të cilën ai e lidh drejtpërdrejt me maqedonasit e vjetër dhe strukturat gjuhësore pellasgjike.
- Kultet Antike: Ai argumenton se perënditë si Zeusi (Zot/Zët/Zau/Zaho) dhe Afërdita kanë rrënjë etimologjike që ruhen më pastër në të folurën shqipe sesa në greqishten e vonë.
“Lalaeans” Lalajt e Moresë dhe origjina familjare Beratase
Një nga pikat më interesante të identitetit të tij është pranimi i origjinës së tij nga “Lalaioi” (Lalajt ose Lalët) e Moresë. Potago shpjegon me krenari se familja e tij rridhte nga kjo degë e fortë shqiptare e Peloponezit. Ai bën një paralelizëm shkencor midis fushave të Beratit në Shqipërinë e epërme, ku banonin familja Lala dhe fshatit Lala në Ilia (Elis) të Moresë, duke vërtetuar migrimet e brendshme dhe unitetin e këtij fisi luftarak dhe vital.
Për Potagon, emri i tij i vërtetë dhe i familjes se tij me origjine nga Berati, ishte i lidhur me këtë trashëgimi. Ai e shihte veten si një “Pellasgo-Shqiptar” në gjak, por “Grek” në vetëdije politike dhe kulturore, duke mos parë asnjë kontradiktë mes këtyre dy emërtimeve. Kur u ftua nga Mbreti i Belgjikës për të nënshkruar në Librin e Shoqatës Ndërkombëtare Gjeografike, ai nënshkroi thjesht: “Εἷς Ἕλλην” (Një Grek), duke përfshirë në këtë emërtim gjithë hapësirën pellasgjike që ai kishte studiuar.
Një Fund Tragjik dhe një Trashëgimi e Pavdekshme
Pavarësisht lavdisë ndërkombëtare, Potago përfundoi si shumë gjenij të tjerë të Ballkanit: i keqkuptuar dhe i lënë pas dore nga shteti. Ministri i kohës, Voulpiotis, do të shprehej me mospërfillje: “Le të na lërë Potago me këto që thotë, kemi punë më serioze!” – një pasqyrim i mikropsiqikës shtetërore që nuk e kuptonte dot vizionin e tij madhor.
Panajot Lala Potago vdiq në vitin 1903 në fshatin Nymphes të Korfuzit, i vetmuar dhe i harruar, duke jetuar ditët e fundit si një bari i thjeshtë, i veshur me rroba popullore, larg shkëlqimit të salloneve të Parisit ku dikur mahniste shkencëtarët.
Sot, vepra e tij rishfaqet jo thjesht si një ditar udhëtimi, por si një manifest i unitetit etnik ballkanik. Panajot Potago na kujton se përtej kufijve modernë, ekziston një shtresë e thellë historike ku pellasgët, ilirët dhe shqiptarët e sotëm janë dëshmitarët e fundit të një qytetërimi që nuk pranon të vdesë. Ai mbetet urë-lidhësi i madh, mjeku që tentoi të shëronte amnezinë historike të popujve tanë. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com









































