Kur historia bëhet armë: ndërtimi i një pretendimi
Në fjalorin e diplomacisë ballkanike, pak terma kanë qenë po aq të ngarkuar politikisht sa “Vorio Epiros” — “Epiri i Veriut” në gjuhën greke. Është një term ekskluzivisht grek, i sajuar si instrument i politikës ekspansioniste, pa asnjë korrespondencë me realitetin demografik, historik apo juridik të trojeve shqiptare të jugut. Ky është njëri prej argumenteve qendrore të Alexis Heraclides — profesor emerit i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Panteion të Athinës — dhe të bashkëautorit shqiptar Ylli Kromidha, në veprën e tyre shkencore të botuar nga shtëpia botuese Routledge në vitin 2024: Greek-Albanian Entanglements since the Nineteenth Century.
Fakti që njëri prej autorëve të kësaj vepre është vetë një studiues grek me autoritet akademik ndërkombëtar e bën analizën veçanërisht domethënëse. Heraclides nuk shkruan nga jashtë rrethit akademik grek — ai shkruan nga brenda tij, me aparatin kritik të historianit dhe me guximin intelektual për të sfiduar narativën zyrtare të shtetit të tij.
Vepra shtron dy çështje të ndërlidhura ngushtë: së pari, pretendimi grek mbi “Epirin e Veriut” si projekt ekspansionist i maskuar pas retorikës minoritare; dhe së dyti, e drejta e shpronësuar e popullatës çame të Epirit shqiptar brenda kufijve të shtetit grek — e drejta për pronën, kthimin dhe kompensimin e asaj çfarë u grabit nga shteti grek dhe forcat paraushtarake gjatë shekullit të njëzetë.
“Vorio Epiros”: anatomi e një miti ekspansionist
Heraclides është kategorik: termi “Vorio Epiros” është “ekskluzivisht grek” dhe “i referohet rajonit të Shqipërisë së jugut”. Ky term nuk ka ekuivalent në asnjë gjuhë tjetër dhe nuk njeh asnjë bazë në dokumentet ndërkombëtare të pranimit të përgjithshëm. Greqia e sajoi këtë emërtim pas Luftërave Ballkanike të 1912–1913, duke ia veshur Shqipërisë së jugut identitetin grek me pretendimet — sipas autorëve — “shumë të pabazuara” se shumica e banorëve ishin grekë me vetëdije kombëtare greke.
Pretendimi grek kaloi nëpër tri faza kryesore. Faza e parë (1912–1920) nisi menjëherë pas pavarësisë shqiptare, kur Greqia ushtroi presion ndërkombëtar për aneksimin e Shqipërisë së jugut. Ajo ngarkoi lobin e saj diplomatik në Konferencën e Londrës dhe më vonë në Konferencën e Paqes të Parisit me argumentet demografike të shumëzuara artificialisht. Sipas Heraclides, delegacioni grek këmbëngulte se të gjithë Toskët Ortodoksë dhe Vllahët e krishterë të Epirit të Veriut kishin “vetëdije kombëtare greke të kristalizuar” — argument që autorët e trajtojnë si absurd historikisht, meqë identiteti fetar nuk barazohet me identitetin kombëtar.
Faza e dytë (1940–1971) shënoi ringjalljet e pretendimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Kur trupat greke pushtuan Shqipërinë e jugut gjatë operacioneve kundër Italisë (1940–1941), shteti grek i konsideroi ato territore të “çliruara” — siç e shprehën burimet zyrtare greke të asaj kohe. Faza e tretë nisi në vitet 1990, kur shembja e komunizmit shqiptar krijoi hapësira të reja. Heraclides dokumenton qartë se qeveria e Mitsotakis dhe Ministri i Jashtëm Andonis Samaras adoptuan strategjinë e dyfishtë: “fillimisht të kërkonin autonomi për Epirin e Veriut dhe kur të arrihej autonomia, të shtynin për shkëputje dhe aneksim nga Greqia”.
Kjo strategji — e dokumentuar nga burime greke konfidenciale dhe e cituara nga autorët — zbulon se retorika greke rreth mbrojtjes së minoritetit nuk ishte kurrë humanitare në thelb, por instrumentale: minoriteti grek si pretekst, aneksimi si qëllim.
Gjeografia e gënjeshtër: kush jetonte realisht në Epirin e jugut?
Para se të analizojmë pretendimet, duhen qartësuar të dhënat demografike. Heraclides dhe Kromidha i trajtojnë me rigorozitet shkencor. Sipas llogaritjeve të ushtrisë greke të vitit 1913, në rajonet e “Epirit të Veriut” që pretendonte Greqia, kishte rreth 30.500 persona që mund të konsideroheshin si folës të greqishtes. Delegacioni grek në Konferencën e Paqes të Parisit insistoi se kishte 120.000 grekë dhe 120.000 shqiptarë — numra që autorët i vlerësojnë si të manipuluar.
Komiteti i Ligës së Kombeve, i ngarkuar me hartimin e kufijve, arriti në konkluzionin se folësit e greqishtes si gjuhë amtare numëronin 35.000–40.000 persona. Konsullata britanike e Durrësit e çmonte këtë numër edhe më poshtë: 25.000–30.000 maksimum. Censusi shqiptar i vitit 1923 regjistroi 34.000 persona në zonat minoritare. Ndërkohë, Greqia në vitet 1990–1991 pretendonte shifra prej 300.000 deri 450.000 personash — që do të nënkuptonte se “të gjithë Toskët Ortodoksë dhe Vllahët janë grekë”, siç shprehet me sarkazëm Heraclides dhe Kromidha.
Pra, terreni demografik ishte kompleks dhe ndërthuret me kujdes nga autorët: kishte një minoritet greqishtfolës i vërtetë në jug të Shqipërisë, por ai kurrë nuk ishte shumicë dhe kurrë nuk mund të justifikonte pretendimet territoriale greke. Ndërkaq, folësit shqiptarë — myslimanë dhe ortodoksë — përbënin shumicën dërmuese të popullsisë.
Çamëria: populli i shpronësuar brenda kufijve të vet
Çamëria — Çamëria ose Chameria — është emri shqiptar historik i rajonit të Epirit të Greqisë veriperëndimore. Çamët janë një nëngrup i Toskëve autoktonë, ndryshe nga shqiptarët e tjerë, qe gjenden sot në Greqi, të mbiquajtur arvanitë e të dokumentuar si banorë të atjeshëm prej të paktën shekullit të 13-14, ndoshta edhe shumë më herët. Çamët njihen historikisht si barinj fillimisht dhe më vonë si pronarë tokash të mëdha. Gjysma e tyre u islamizua në shekujt XVII–XVIII.
Sipas Heraclides dhe Kromidha, fati i çamëve myslimanë shkon paralel dhe në kontrast të dhimbshëm me politikën greke mbi Epirin e Veriut: ndërsa Greqia kërkonte tokë shqiptare jashtë kufijve të saj, brenda kufijve të saj shpronësonte, dëbonte dhe shfaroste popullatën çame që jetonte atje prej shekujsh.
Shpronësimet sistematike (1923–1937)
Procesi i shpronësimit nisi menjëherë pas Konferencës së Lozanës të vitit 1923. Greqia kishte shpresuar t’i bënte çamët “të këmbyeshëm” sipas konventës greko-turke — t’i dërgonte si myslimanë në Turqi, edhe pse as Greqia, as Turqia, as Liga e Kombeve nuk e njihnin origjinën e tyre turke. Shteti grek u kërkoi çamëve dokumente që tregonin se ata ose prindërit e tyre kishin lindur në Shqipëri — kërkesë të cilën Heraclides e përshkruan si “absurde”, meqë ata ishin popull autokton i Çamërisë, jo emigrantë nga Shqipëria.
Ndërkohë, kishte filluar shpronësimi masiv. Dekret i datës 15 shkurt 1923 lejoi shpronësimet e “fermave” çame — ndërkaq kuptohej shpronësimi i pronave të mëdha bujqësore. Siç shkruajnë autorët: “jo më pak se një milion kilometre katrorë tokë çame u shpronësuan, duke përfshirë një numër të madh pronash urbane, shtëpish, mullinjsh e kështu me radhë”. Kompensimi ishte “shumë i kufizuar ose i papranishëm”, dhe çamëve të varfër nuk u sigurohej rruga e drejtësisë nëpërmjet gjykatave greke.
Goditja përfundimtare erdhi me ligjin e vitit 1937 të regjimit Metaxas, i cili urdhëroi shpronësimin e detyrueshëm të gjithë tokave çame që kishin shpëtuar deri atëherë. Bashkë me të, u ndalua përdorimi i gjuhës shqipe — jo vetëm publikisht, por edhe privatisht. Shtëpitë u bastisën me pretekstin e kërkimit të armëve, banorët u rrahën, u bënë arrestime arbitrare. Heraclides shkruan se kjo ishte “goditja e fundit fatale që tregoi qartë çamëve se ishin ‘trup i huaj’, ‘i padëshiruar’ dhe ‘armiqësor’, që nuk mund të integrohej kurrë me grekët”.
Spastrimi etnik i 1944–1945
Kulmi i tragjedisë çame nuk erdhi nga ligjet diskriminuese, por nga dhuna fizike. Në vitet 1944–1945, forcat paraushtarake të EDES-it (Lidhja Kombëtare Demokratike Greke) nën komandën e kolonel Napoleon Zervasit sulmuan popullatën çame me egërsi të pashoqe. Heraclides dhe Kromidha rendisin episodet më të rënda: në Karvunari, Parga (ku u vranë 52 çamë), Filiates (157 të vrarë) dhe Paramythia (400–600 çamë “të të gjitha moshave të vrarë në ‘orgji dhune'”). Numri total i viktimave shqiptare arriti mbi 1.200 persona sipas burimeve greke, dhe 2.000–2.771 sipas burimeve shqiptare.
Dëshmi të paçmueshme rreth natyrës së këtij “spastrimi etnik” vijnë pikërisht nga vetë diplomatët dhe ushtarakët britanikë dhe amerikanë të kohës. Chris Woodhouse, shef i Misionit Ushtarak Britanik në Greqi, raportoi: “Me inkurajimin e Misionit Aleat që udhëheqja, Zervas i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944. Shumica ikën për të gjetur strehim në Shqipëri. Dëbimi i tyre nga Greqia u krye me derdhje të madhe gjaku.”
Joseph Jacobs, Shefi i Misionit Amerikan në Shqipëri, shkroi: “Autoritetet e Greqisë veriperëndimore kryen brutalitete të egra duke dëbuar rreth 25.000 çamë — banorë të Çamërisë — nga shtëpitë e tyre. Ata u ndoqën nëpër kufi pasi u grabitën nga toka dhe prona e tyre. Qindra çamë meshkuj nga mosha 15 deri 70 vjeç u burgosën në ishujt e Detit Egje. Gjithsej 102 xhami u dogjën.”
Rreth 22.000–25.000 çamë u detyruan të braktisin vendlindjen e tyre. Censusi grek i vitit 1951 regjistroi vetëm 127 myslimanë shqiptarë në të gjithë Greqinë. Heraclides shprehet pa ekuivok: “çfarë ndodhi, me standardet e sotme, konsiderohet qartësisht rast ‘spastrimi etnik’ dhe shumë brutal”.
Prona çame: ligji si instrument i shpronësimit të përhershëm
Dimensioni juridik i çështjes çame — ai i pronës — mbetet i pazgjidhur dhe qëndron në zemër të kontestit greko-shqiptar deri sot. Heraclides dhe Kromidha e analizojnë me detaje juridike.
Kur çamët u detyruan të largoheshin me dhunë nga Greqia, pas tyre mbetën tokat dhe pronat — shtëpitë, fushat, mullinjtë, dyqanet — gjithçka çfarë kishin ndërtuar dhe trashëguar prej gjeneratash. Fillimisht, gjendja juridike e kësaj prone mbeti e paqartë, të paktën sipas normave ndërkombëtare. Por shteti grek zgjidhi çështjen me dy akte ligjore: në vitet 1953 dhe 1954, ligjet greke shpallën të gjithë pronën çame si “të braktisur” dhe, si të tillë, ligjerisht të konfiskuar nga shteti.
Ky mekanizëm juridik zbuloi perversitetin e situatës: prona u shpall “e braktisur” nga vetë shteti që kishte detyruar pronëtarët të largoheshin me dhunë. Kushdo e kishte “braktisur” pronën e tij jo nga vullneti i lirë, por nën kërcënimin e armëve të Zervasit.
Heraclides thekson se e drejta ndërkombëtare e kohës e sanksiononte edhe atëherë konceptin e sekuestrimit të pronës armike — jo konfiskimin e saj. “Sekuestrimi vë pronën në ‘akull’, pa i bërë dëm, pa e shitur apo shpronësuar, duke e mbrojtur në efekt.” Por shteti grek nuk arriti të zhbëjë konfiskimin siç e kishte bërë me pronat italiane dhe gjermane, “duke u fshehur pas pretendimit të supozuar të gjendjes se luftes” me Shqipërinë — gjendje lufte e trashëguar absurdisht nga dekreti i vitit 1940 i regjimit Metaxas dhe i pandryshuar deri sot.
Paradoksi legal është i pashembullt: Greqia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s dhe janë partnerë intensive ekonomike e diplomatike, por zyrtarisht janë ende “në gjendje lufte” — një trashëgimi burokratike e Luftës së Dytë Botërore që shërben si alibi juridike për të penguar rimëkëmbjen e pronave çame.
Numrat e pronave të sekuestruara janë — siç e theksojnë autorët — relativist të vogla: rreth 200 pasuri të paluajtshme sipas burimeve greke, ose 309 sipas burimeve shqiptare, me vlerë totale jo më shumë se 13 milion euro sipas vlerësimeve greke. Nuk është shumë e madhe për të justifikuar dhjetëra vjet mosmarrëveshjeje diplomatike.
Rreth 65% e shqiptarëve — sipas anketave të cituara nga Heraclides — e konsiderojnë çështjen e pronave çame si pengesë në marrëdhëniet greko-shqiptare. Kërkesat e çamëve dhe organizatave të tyre janë: kthimi i pronave ose kompensimi, e drejta e kthimit në vendlindje, njohja e shtetësisë greke dhe njohja e padrejtësisë historike.
“Vorio Epiros” si mburojë për mosveprim ndaj çamëve
Heraclides zbërthen me precizion lidhjen mes dy çështjeve: pretendimi i “Vorio Epirit” dhe refuzimi i të drejtave çame janë dy anë të të njëjtit problem. Kur Greqia bënte thirrje ndërkombëtare për mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri, paralel me këtë po konfiskonte pronat çame dhe po i pengonte çamët t’i qasen drejtësisë. Kur Shqipëria ngrinte zërin për çamët, Greqia e rikthtente diskutimin te statusi i minoritetit grek.
Ky rrotullim kontrast-shkëmbyes ka shërbyer si mjet i vonimit: asnjëra çështje nuk gjendet zgjidhje sepse lihet të “balancohet” me tjetrën, në vend që të trajtohet sipas meritave të veta.
Heraclides ilustron me episode konkrete. Gjatë viteve 1990, kur marrëdhëniet greko-shqiptare mund të kishin çuar drejt pajtimit, qeveria e Mitsotakis zgjodhi strategjinë ekspansioniste — “Vorio Epiros” dhe autonomia, si shkallë e parë drejt aneksimit. Atëherë kur ishin gati të nënshkruhej marrëveshja historike e miqësisë dhe bashkëpunimit, Athina tërhiqej, duke çuar si pretekst çështjen çame perball numrit të shkollave minoritare. Çamët shërbenin si alibi e vonimit — jo si shoqëri njerëzore me të drejta konkrete.
Zerva, EDES dhe pyetja e ndershmërisë historike
Një prej diskutimeve më të mprehta të Heraclides ka të bëjë me figurën e Napoleon Zervës dhe trashëgiminë e tij në historinë greke. Zervas — zyrtar i lartë qeveritar pas luftës, deputet, minister — festohet si hero kombëtar grek. Emri i tij është i gdhendur në rrugë e sheshe.
Megjithatë, raportet britanike dhe amerikane të kohës e identifikojnë atë si arkitekt të spastrimit etnik të çamëve. Woodhouse vetë, i cili e inkurajoi Zervën, pranoi më vonë se veprimet ishin “gjakderdhëse” dhe të “pajustifikueshme”. Heraclides thekson pikën kyçe: qeveria greke e koalicionit pas luftës “u dha nderime Zervasit” — e bëri Gjeneral Nderi dhe e emëroi minister dy herë. Shteti grek, me këtë sjellje, “u duk se e sanksiononte” largimin e çamëve.
Kjo nënkuptonte njëkohësisht pastrimin moral të aktit dhe ngurosjen e refuzimit për ta njohur atë si gabim historik. Nëse shteti ka akoma hero atë që drejtoi spastrimin etnik, si mund të pranojë njëkohësisht se spastrimi ndodhi?
Megali Idea: ideologjia ekspansioniste si kontekst
Nuk mund të kuptohet as çështja e “Vorio Epirit” dhe as çështja çame jashtë kontekstit të Megali Idea-s — “Ideja e Madhe”, ideologjia ekspansioniste greke e shekullit XIX–XX. Heraclides dhe Kromidha e trajtojnë atë si “ideologjinë dominuese, qëllimin kryesor të politikës së jashtme, fiksionin dhe raison d’être të mbretërisë së vogël” greke.
Megali Idea pretendonte “ringjalljen” e Perandorisë Bizantine dhe bashkimin e të gjitha tokave ku jetonte popullsia greke ose ortodokse — nga Maqedonia dhe Epiri deri në Anadoll. Heraclides tregon se si konsullatat greke u ngritën në Epir që në mesin e shekullit XIX jo për të shërbyer qytetarëve, por “me qëllim të zgjerimit të ndikimit grek” dhe identifikimit të potencialeve aneksuese. Financimi i shkollave greke, kishave dhe institucioneve kulturore në Shqipëri e Maqedoni nuk ishte humanitar por instrumental: t’i bënte banorët vendas “grekë” paraprakisht ndaj pretendimeve territoriale.
Brenda këtij konteksti, çamët myslimanë nuk mund të bëheshin kurrë “grekë” — sepse ishin myslimanë, dhe Megali Idea e konceptualizonte identitetin grek mbi bazën e fesë ortodokse. Ata ishin rrjedhimisht “trup i huaj” i destinuar ose për asimilim ose për dëbim. Historia e dekadave 1920–1945 tregon se çfarë nënkuptonte “dëbimi” në praktikë.
Leximi juridik ndërkombëtar
Heraclides dhe Kromidha e analizojnë pozicionin e institucioneve ndërkombëtare me nuancë. Lidhja e Kombeve nuk doli mirë nga kjo histori. Kur Shqipëria peticionoi kundër shpronësimeve çame, Liga e refuzoi ankesën si “çështje e brendshme e Greqisë”. Kur delegacioni special vizitoi Epirin për të hetuar nëse çamët dëshironin të “shkëmbeheshin”, arriti në konkluzione të gabuara — sepse nuk kishte asnjë përfaqësues shqiptar në delegacion, pyetjet u formuluan manipuluese (“jeni grek apo osman?”) dhe shumë çamë të frikësuar nga persekutimi thanë po vetëm për t’u larguar nga reprezaljet.
Jurisprudenca ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë — duke përfshirë Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut — tenton të mos adresojë ngjarje para vitit 1950. Kjo krijon paradoksin e “ligjit pa drejtësi”: çamëve u thuhet të drejtohen tek gjykatat greke, por ato gjykata operojnë brenda sistemit juridik që konfiskoi pronat e tyre. Heraclides rekomandon si alternativë: negociata diplomatike dypalëshe me mbikëqyrje europiane dhe fond kompensimi.
Paraleli i Sudetëve: Heraclides dekonstrukton apologjetikën greke
Mbrojtja standarde greke ndaj pretendimeve çame është analogjia e gjermanëve sudetenë të Çekosllovakisë: edhe sudetët u dëbuan pas luftës si rezultat i bashkëpunimit kolektiv me pushtuesit. Heraclides e pranon paralelin por pastaj e dekonstrukton sistematikisht.
Dallimet janë thelbësore. Së pari, sudetët kishin votuar 90% për partinë naziste të Hanleinit dhe shumë kishin shërbyer në SS dhe Gestapo — bashkëpunimi ishte dëshmi masive. Çamët, nga ana tjetër, kishin një minoritet fashist (klika e familjes Dino) por “shumica e madhe e popullsisë shqiptare nuk mori pjesë” në aktet kundër banorëve grekë — siç e pranon edhe historania greke Eleftheria Manta, e cituar nga Heraclides. Kishte çamë që shpëtuan grekë nga dhuna e klikës fashiste.
Së dyti, çfarë ndodhi me sudetët ishte e miratuar nga Konferenca e Potsdamit — me autoritet ndërkombëtar. Dëbimi i çamëve nuk kishte asnjë sanksionim ndërkombëtar; Woodhouse vetë pranoi se ata kishin vetëm “dritë jeshile të dobët” nga komanda aleate.
Së treti, proporcionet e dhunës ishin radikalisht të ndryshme: nga 3.2 milion gjermanë sudetenë, 700 humbën jetën gjatë largimit — 0.00022%. Nga rreth 20.000 çamë, të paktën 1.500 u vranë — 7.5%. Dhe ata çamë të vrarë ishin 500 me shume se grekët e vrarë nga nazistet të ndihmuar përciptaz nga individë kolaboracionistë çamë — 1.065 sipas raportit zyrtar grek.
Paradigma e pajtimit: çfarë propozon Heraclides
Vepra mbyllet me një “hartë rrugore” drejt pajtimit greko-shqiptar. Heraclides është realist: ai nuk beson se ka zgjidhje të menjëhershme apo të thjeshta. Por ai identifikon hapat e domosdoshëm.
Nga ana greke: njohja e padrejtësive historike ndaj çamëve dhe jo negacioni i çështjes si “joekzistente”; heqja e gjendjes absurde juridike të “gjendjes lufte” me Shqipërinë; kthimi i pronave të sekuestruara ose kompensim adekuat; lënia e pretendimeve ekspansioniste ndaj “Vorio Epirit” si gjë e kryer.
Nga ana shqiptare: njohja e realitetit se pakica greke ekziston dhe ka të drejta legjitime; trajtimi i problemeve të minoritetit jo si armë diplomatike por si çështje humanitare; forcimi i institucioneve të shtetit ligjor.
Heraclides ka optimizëm të kufizuar. Ai vëren se marrëdhëniet greko-shqiptare janë “sot më të mira se kurrë”. Por kjo mirësi relative mbërthehet mbi themele institucionale të brishta kur si Athina ashtu dhe Tirana kanë partitë dhe forcat politike që e riaktivojnë konfliktin historik sipas interesit elektoral.
Çfarë thotë historia jonë për ne
Ka diçka thelb-njohëse rreth mënyrës se si shtetet trajtojnë padrejtësitë historike. Greqia ka ndërtuar narrativën e viktimizimit grek — nga Holokausti i Çios (1822), te Katastrofa e Izmirit (1922), te persekutimet e Hoxhës ndaj minoritetit grek — pa pranuar kurrë se vet ajo kishte bërë viktima. Çamët janë dëshmi e këtij procesi selektiv: shpronësim, dëbim dhe spastrimi etnik të justifikuara si “mbrojtje kombëtare” dhe të fshehura nën heshtje institucionale për dekada.
Heraclides, si akademik grek, e pranon këtë me ndershmëri të rrallë. Ai nuk kurseu as kolegët e tij grek, as institucionet e shtetit grek, as retorikën “patriotike” që mund t’i jepte karierë. Duke i bërë këto, ai i bën nderin jo vetëm shkencës, por edhe asaj tradite intelektuale brenda vetë Greqisë që ka guxuar të sfidojë “Megali Idea” kur ka qenë racionalisht alogjike dhe moralisht e dëmshme.
Çështja e pronës çame nuk është vetëm çështje bilaterale greko-shqiptare. Është çështje principi: a ka kuptim e drejta e pronës kur shteti mund ta shpallë pronën “të braktisur” pasi vetë ka dëbuar pronëtarët me dhunë? A ka kuptim e drejta e popujve autoktonë kur shteti fqinj mund t’i quajë “trup i huaj” dhe t’i spastroje nga tokat e tyre?
Certifikatat e pronësisë çame nuk janë fshirë nga historia. Ato janë të regjistruara në arkivat shqiptare dhe ndërkombëtare, të cituara nga Heraclides dhe Kromidha, të dokumentuara nga raportet britanike, amerikane dhe të Lidhjes së Kombeve. Prona ekzistonte. Pronëtarët ekzistonin. Konfiskimi ndodhi.
Ajo çfarë mbetet të ndodhë tani — njëzet e tre vjet pas hyrjes së Greqisë dhe Shqipërisë si partnerë të NATO-s — është vullneti politik dhe intelektual për t’u përballur me historinë jo si mjet propagande, por si bazament i drejtësisë.
Referenca:
“Greek-Albanian Entanglements since the Nineteenth Century: A History”, Routledge Histories of Central and Eastern Europe, Londër dhe Nju Jork: Routledge/Taylor & Francis, 2024. – Alexis Heraclides dhe Ylli Kromidha
















