27 vjet nga një prej plagëve më të rënda të luftës në Kosovë
Më 19 maj 1999, ndërsa lufta në Kosovë kishte hyrë në fazën e saj më dramatike, brenda mureve të Burgut të Dubravës nisi një nga aktet më monstruoze të regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Një krim i organizuar, i menduar me paramendim dhe i realizuar mbi trupat e njerëzve të paarmatosur, të cilët ndodheshin në qelitë e një burgu që, në vend se të ishte institucion vuajtjeje dënimi, u shndërrua në arenë ekzekutimi masiv.
Sot, 27 vjet më vonë, emrat e 160 të burgosurve shqiptarë të vrarë mbeten të gdhendur në pllakën përkujtimore brenda Burgut të Dubravës, ndërsa mungesa e drejtësisë vazhdon të rëndojë si një heshtje e rëndë mbi ndërgjegjen ndërkombëtare.
Masakra e Dubravës nuk ishte një incident i rastësishëm lufte. Ajo ishte pjesë e mekanizmit të gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Slobodan Milošević kundër shqiptarëve të Kosovës, në muajt e fundit të konfliktit. Në javën e fundit të prillit 1999 dhe në ditët e para të majit, autoritetet serbe nisën transferimin sistematik të të burgosurve shqiptarë nga burgje të ndryshme drejt Dubravës. Ata u grumbulluan në pavijone të mbipopulluara, nën kushte çnjerëzore dhe pa asnjë garanci sigurie.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve dhe dokumentimeve të mëvonshme, përzgjedhja dhe sistemimi i tyre nuk ishte rastësor. Gjithçka tregonte se po përgatitej një operacion i paramenduar eliminimi.
Më 19 maj, avionët e NATO bombarduan objektiva ushtarake dhe policore serbe pranë burgut. Sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën ushtarake jashtë mureve të Dubravës. Por menjëherë pas largimit të avionëve të NATO-s, situata mori një kthesë tragjike.
Sipas dëshmive të mbijetuarve, forcat jugosllave dhe njësitë paramilitare serbe nisën sulmin ndaj vetë të burgosurve shqiptarë. Aviacioni jugosllav goditi pavijonet ku ndodheshin civilët e burgosur. Në atë sulm u vranë Enver Topalli, Abdullah Tahiri dhe Gjokë Ndrecaj, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Por ajo që ndodhi më pas e shndërroi Dubravën në simbol të barbarisë.
Nga 19 deri më 24 maj 1999, të burgosurit shqiptarë u ekzekutuan sistematikisht me armë automatike, granata dhe snajperë. Të mbijetuarit kanë rrëfyer se si trupat e pajetë mbeteshin për orë të tëra në oborrin e burgut, ndërsa të plagosurit luteshin për ndihmë pa marrë asnjë trajtim mjekësor. Shumë prej tyre u vranë teksa përpiqeshin të strehoheshin apo të ndihmonin shokët e plagosur.
Në total, mbi 160 shqiptarë humbën jetën, ndërsa më shumë se 300 të tjerë mbetën të plagosur. Dubrava u kthye në një varr kolektiv të izoluar nga sytë e botës.
Ndërkohë, regjimi serb nisi menjëherë operacionin propagandistik për fshehjen e krimit. Në krye të këtij mekanizmi ishte ministri i atëhershëm i informacionit, Aleksandar Vučić, i cili akuzoi publikisht NATO-n për vrasjet brenda burgut.
Propaganda shtetërore serbe u përpoq të krijonte narrativën se viktimat shqiptare ishin vrarë nga bombardimet e aleancës perëndimore. Megjithatë, më 21 maj 1999, si Pentagoni ashtu edhe NATO publikuan prova dhe incizime që demonstronin se asnjë bombë e tyre nuk kishte goditur pavijonet e brendshme të burgut.
Pavarësisht këtyre provave, propaganda vazhdoi me të njëjtin intensitet. Ishte një strategji klasike e regjimeve autoritare: fajësimi i të tjerëve për krimet që vetë kishin planifikuar dhe realizuar.
Edhe sot, pas gati tre dekadash, askush nga zinxhiri komandues ushtarak dhe policor serb nuk është dënuar për Masakrën e Dubravës. As ata që urdhëruan operacionin, as ata që ekzekutuan të burgosurit, dhe as arkitektët e propagandës shtetërore nuk janë përballur me drejtësinë.
Kjo mungesë përgjegjësie nuk përbën vetëm dështim juridik. Ajo është një plagë morale dhe historike për familjet e viktimave dhe për vetë kujtesën kolektive të Kosovës.
Masakra e Dubravës mbetet një nga dëshmitë më të qarta të brutalitetit të aparatit shtetëror serb gjatë luftës në Kosovë. Ajo dëshmon se gjenocidi nuk kryhet vetëm me armë, por edhe me propagandë, mohime dhe përpjekje për të deformuar të vërtetën historike.
Sot, ndërsa emrat e viktimave lexohen në heshtje pranë pllakës përkujtimore të Dubravës, mbetet ende e hapur pyetja që familjarët e viktimave e përsërisin prej 27 vitesh: si është e mundur që një krim i tillë të mbetet pa autorë?
Qendra Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur vazhdon të kërkojë drejtësi për viktimat e kësaj masakre, duke kujtuar se pa ndëshkim të krimeve, pa përgjegjësi dhe pa pranimin e së vërtetës, paqja mbetet gjithmonë e brishtë.





















