Nga Hamdi Jupe
Paraditen e 20 shkurtit 1991 në sallën e koncerteve në katin e tretë të Pallatit të Kulturës zhvillohej një mbledhje e përfaqësuesve të komunitetit çam. U ndodha atje si gazetar për të mësuar diçka për këtë temë për të cilin nuk flitej aspak në komunizëm.
Sapo kishte filluar mbledhja, u dëgjua zhurmë e pazakontë e një turme të madhe njerëzish që vinte nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe i afrohej sheshit “Skënderbej”. Pjesëmarrësit në sallë dolën nëpër dritare për të parë se çfarë po ndodhte. Po vinin protestuesit nga qyteti “Studenti.”
Greva e studentëve atje kishte filluar prej ditësh. Ata kërkonin heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Kinoklubi i tyre ishte kthyer në vend pelegrinazhi për qytetarët nga i gjithë vendi për të mbështetur studentët. Pas refuzimit disaditor të autoriteteve ndaj kërkesës së tyre, turma e mbështetësve po vinte tani drejt Sheshit “Skënderbej” për të shtrirë porotestën në qendër të Tiranës.
Mbledhja e çamëve u ndërpre dhe pjesëmarrësit dolën në dritaret e mëdha të kafenesë së katit të tretë të Pallatit me sytë nga Sheshi. Nuk kishte vend më të mirë se atje për një gazetar për të ndjekur drejtpërdrejt një ngjarje historike që po zhvillohej para syve të tij. Një kameraman i Televizionit me një kamer profesionale në dorë se nga mbiu papritur në krahun e majtë një metër më tej dhe filloi të filmonte historinë. Nuk e kuptoja nëse u ndodh aty për të pasqyruar aktivitetin e çamëve dhe ndërroi objektiv në çast, apo ishte i dërguar posaçërisht për atë që pritej të ndodhte.
Përplasja me policinë
Turma prej tre – katër mijë vetësh që mbërriti te blloku i ministrive u kthye në të majtë dhe iu drejtua monumentit të Hoxhës që qëndronte në fund të Sheshit, midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës qysh prej katër vjetësh. Fillimisht nuk u muar vesh se çfarë qëllimi kishte. Pastaj u bë e qartë: Monumenti ishte objektivi. Studentët e grevës së urisë atë kërkonin: kokën e Hoxhës.
Ndërkohë që turma po i afrohej copës gjigande prej bronxi, nga prapa monumentit ia behu policia me katër kamiona të mbuluar “IFA”, të mbushura me policë, të pajisur me mburoja, skafandra, shkopinj gome dhe qen kufiri me maska në fytyrë. Ajo e kishte kuptuar qëllimin e protestuesve dhe prandaj kishte ardhur, për të mbrojutr monumentin. Pak kohë më parë Presidenti Alia kishte nxjerrë një dekret sipas të cilit, dënoheshin të gjithë ata që dëmtonin “simbolet historike”. Qëllimi ishte pikërisht mbrojtja e monumenteve dhe busteve të diktatorit, të kudondodhura, që po sulmoheshin gjithandej nga opozita. Dekreti i kishte hedhur benzinë zjarrit.
Turma, kryesisht të rinj, por edhe gra e të rritur, sulmoi disa herë drejt monumentit pesë metër të lartë të Hoxhës. Dëgjoheshin rrirrje që nxisnin për aksion: “Përpara, përpara!”, “Liri – demokraci!” Policia e sapoardhur i sprapsi disa herë protestuesit me shkopinj gome dhe me qen kufiri që lehnin mes kaosit të përgjithshëm, por ishte e pamundur t’i shpëndante. Ishin pamje të para vetëm nëpër filma artistikë apo kronika lajmesh nga bota. Vetëm se këtu ato ishin origjinale.
U dëgjuan krisma armësh me të shtëna një nga një dhe pas tyre fjalët që vinin nga shkallët e Pallatit të Kultures: “Janë fishekë manovre, janë fishekë manovre”. Shqiptarët i njihnin fishekët e manovrës nga zboret e përvitshme që bënin me ta. Përrreth vendit të ngjarjes po grumbulloheshin gjithnjë e më shumë njerëz që dukej se nuk ishin thjesht sehirxhinj. Kjo bëri që më në fund policia të tërhiqej, duke u larguar fare nga Sheshi me makinat e saj. Ajo nuk kishte përvojë dhe as forcë për të përballuar situata të tilla.
Ky “spektakël” i llojit të veçantë, i paparë ndonjëherë në Shqipëri, që po zhvillohej në sheshin kryesor të Tiranës, po ndiqej me kërshëri të madhe nga shumë drejtime: jo vetëm nga “sehirxhinjtë” e shumtë të Pallatit të Kulturës, por edhe nga taraca e Hotel “Tiranës”, taraca e Bankës së Shtetit, ajo e Komitetit Ekzekutiv (sot bashkia), ajo e Muzeut Historik Kombëtar dhe nga pallatet në hyrje të rrugës së Durrësit dhe Kavajës, që shihnin nga Sheshi. Shumë prej tyre, megjithëse punonjës të adiministratës shtetrore dhe komunistë me tesër në xhep, përshëndesnin turmën e protestuesve duke ngritur dy gishtat lart.
Rrëzimi
Turma më në fund ishte plotësisht e lirë t’i afrohej monumentit dhe të bënte çfarë të donte me të. U bënë disa orvatje për ta rrëzuar me duar e mjete të rastësishme, por më kot. Ishte i mbërthyer mirë me bulona në bazamentin prej betoni një metër të lartë. Më në fund, nga prapa monumentit u afrua një makinë vetëshkarkuese tip “Saurel” e ngarkuar me zhavor dhe demonstruesit i hodhën masivit prej bronxi një kavo çeliku në qafë për ta tërhequr me makinë. Thirrje në turmë: “largohuni, largohuni!”, për të shmangur ndonjë dëmtim të mundshëm nga rrëzimi.
Makina lëvizi ngadalë, u duk se monumenti anoi rreth dyzetë gradë anash dhe turma ulëriu nga gëzimi. Nuk ishte shkulur ende plotësisht, por ishte anuar goxha, aq sa dukej se pas pak çastesh do të shëmbej përdhe. Disa shkrepje të aparateve fotografike të të pranishmëve kanë lënë edhe sot pamje vizive të atij çasti. Një tërheqje tjetër me makinë dhe … gjithçka mori fund.
Turma oshëtiu nga thirrjet dhe gëzimi i pamasë. Në çast drejt vendit ku ishte monumenti i rrëzuar u sulën me dhjetëra mijëra njerëz të tjerë që vinin nga të gjitha anët. Nga dolën gjithë ata? Sikur mbinë nga dheu. Ishin atje, rreth Sheshit, por nuk guxonin të afroheshin. Frika 40- vjeçare e diktaturës kishte bërë punën e vet te qytetarët. Kur gjithçka kishte marrë fund, ia behën atje të gjithë në ekstazë. Ishin rreth 70 mijë vetë, në Tiranën me 240 mijë banorë atëherë. U habita nga kjo prani e madhe e tyre në një ditë pune të zakonshme në mesjavë.
Një helikopter i policisë mbi Sheshin “Skënderbej”
Në çast papritur mbi Shesh u shfaq një helikopter me ngjyrë blu i policisë, i cili u ul rreth tridhjetë metra mbi kokat e qytetarëve, te vendi ku më parë ndodhej monumenti. Nuk kuptohej se çfarë donte të bënte atje, tani që masivi prej bronxi ishte shtrirë përtokë. Qëndroi pezull në ajër pa lëvizur për disa sekonda dhe pastaj u largua andej nga kishte ardhur, drejt Farkës.
Më vonë u tha se në të ishte vetë ministri i brendshëm Hekuran Isai dhe se kishte ardhur atje për të konfirmuar me sytë e tij lajmin e rrëzimit, me qëllim që të informonte Komitetin Qendror, që ndodhej në mbledhje. Pas pak çastesh ishte vënë në dijeni Ramiz Alia për ngjarjen dhe ky kishte njoftuar anëtarët e udhëheqjes: “Sapo u informova se monumenti i shokut Enver në sheshin Skënderbej është rrëzuar nga turma.” Heshtje në sallën e madhe të mbledhjeve në katin e tretë të Komitetit Qendror. Vetëm e veja e Hoxhës, e pranishme atje, ishte ngritur nga vendi ku qëndronte dhe kishte dalë nga salla e përlotur pa u ndjekur nga askush.
Turma e protestuesve
Pasi e qëlluan monumentin e rrëzuar në tokë me shkelma e me çfarë mundën, pasi e pështynë, e përdhosën, e pshurrën e s’i lanë gjë pa bërë, protestuesit e lidhën me kavo çeliku për qafe, e kapën pas makinës me zhavor dhe filluan ta tërhiqnin zvarrë nëpër Shesh. Kaluan para pishave te Banka, pastaj para Monumentit të Skënderbeut, para xhamisë, morën rrugën në krah të Sahatit dhe u drejtuan për nga qyteti “Studenti”. Donin t’ua çonin studentëve – grevistë të urisë “trofenë” e fitores. “Merreni, ua sollëm. Na lodhi ca, se ishte i mbërthyer mirë me bulona, por ia dolëm.” Atje monumenti do të përfundonte i ndarë në dy pjesë, prej zvarritjes së gjatë pas makinës nëpër rrugën e Elbasanit. E pashë në mbrëmje, kur u ktheva në bujtinën studentore.
Turma dhjetramijëshe e qytetarëve të ekzaltuar shkonte pas procesionit, një pjesë e hipur në makinë, një pjesë mbi masën e bronxit që zvarritej në asfalt dhe pjesa tjetër në këmbë. E ndoqa lumin e njerëzve nga dritaret e Pallatit të Kulturës deri sa u zhduk në rrugën e Elbasanit. Ishte i madh ky lumë, kryesisht qytetarë të Tiranës. I gjithë ky “spektakël” i llojit të veçantë vazhdoi rreth gjashtëdhjetë minuta.
Tetë muaj më parë, pas ngjarjes së dy korrikut me ambasadat, në atë Shesh ishte zhvilluar një miting “madhështor” i qytetarëve të Tiranës, të sjellë atje me urdhër dhe të vendosur në kuadrate sipas ndërmarrjeve, për të treguar “solidaritetin” ndaj Udhëheqjes se, “ ne nuk jemi as lindje as perëndim”. Ramiz Alia kishte munguar në miting. Një vit më parë në sheshin kryesor të Bukureshtit turma e thirrur për të treguar “solidaritetin” me udhëheqjen, ishte ngritur kundër Çausheskut, që kishte përfunduar në plumb. Fantazma e tij tani shëtiste nëpër Tiranë, prandaj nuk është mirë të bëhen veprime të pamatura.
Opozita e munguar
Opozita shqiptare, e kryesuar nga Partia Demokratike, e krijuar dy muaj e gjysmë më parë, nuk u duk asgjëkundi në Sheshin “Skënderbej” atë ditë. E gjithë ajo turmë e madhe njerëzizh në Shesh e rreth tij opozitë ishte, por drejtuesit e saj kryesorë të njohur nga publiku, nuk u shfaqën atje. Ajo i organizonte protestat në Sheshin “Demokracia” në Qytetin “Studenti” ditëve të diela, ndërsa kjo ishte ditë jave, pra ditë pune. Protesta e zhvilluar në Shesh kundër monumentit kishte lindur spontanisht atë ditë. Ajo ishte vepër e qytetarëve të Tiranës, jo e ndonjë partie. Jo vetëm kaq.
Opozita nuk kishte ende një qëndrim të qartë ndaj figurës së Enver Hoxhës. Ishte ende herët për të përcaktuar qëndrimin publik ndaj diktatorit. Lideri i opozitës Sali Berisha ende lavdëronte nëpër mitingje Ramiz Alinë që “na solli pluralizmin”. Kjo tegonte se masa e madhe e qytetarëve të kryeqytetit ishte më e përparuar politikisht sesa lidershipi i saj. Në prag ishin zgjedhjet e para parlamentare shumëpartiake të 31 marsit, prandaj nuk duhet të bëheshin veprime “të nxituara” që mund të kushtonin vota të humbura.
Televizioni Shtetror
Pamjet e filmuara prej kameramanit në krahun e majtë në kafenenë e Pallatit të Kulturës do të transmetoheshin pastaj në një kronikë rreth tre minuta në të vetmin Televizionin Shtetror të vendit TVSH, si lajm i parë në programin e orës gjashtëmbëdhjetë, nën komentin e “paanshëm” të gazetarit të njohur Alfons Gurashi. Ai që kishte shoqëruar si gazetar diktatorin Hoxha gjatë daljeve të tij në publik gjatë njëzetë viteve të fundit, po komentonte tani gati i ngazëllyer ngjarjen në Shesh: “Ja, tani turma po i afrohet monumentit. Ja, tani po i hedhin litarin. Ja, tani po ndërhyn policia me qen kufiri. Ja, tani monumenti po rrëzohet!” Ishte kronika e fundit e jetës së tij.
Nuk kishte nevojë për shumë komente, sepse pamjet e filmuara flisnin vetë. Dukej sikur gjërat ishin planifikuar me kohë nga Televizioni për atë që do të ndodhte dhe rolin e tij në to. Ato pamje u transmetuan vetëm në lajmet e orën gjashtëmbëdhjetë, kur i ndoqa nga televizioni i gazetës. Kur turma e protestuesve kishte zbritur te Televizioni për të dalë në bulevard, u kishte berë thirrje gazetarëve ta ndiqnin atë në protestë. Pastaj ato pamje u zhdukën nga ekrani dhe nga arkivi i Televizionit përgjithmonë. Por ato tani kishin marrë udhët e botës nëpërmjet televizioneve të huaja. I pashë në mbrëmje te televizioni Rai.
Përjetimi i gazetarit
Një gëzim i lehtë më përshkoi së brendshmi për atë që, nga e gjithë ajo zallamahi në shesh, nuk kishte patur asnjë viktimë në njerëz, asnjë i plagosur, asnjë pikë gjaku. “Viktima” kishte qenë vetëm copa gjigande e bronxit me emrin “monumenti i Enver Hoxhës”. Tani në shesh kishte mbetur vetëm cungu, bazamenti prej betoni i tij. Ndërkohë, u trishtova nga mënyra e sjelljes së turmës në mes të ditës ndaj atij që, për më shumë se dyzetë vjet, kishte qenë “udhëheqësi legjendar” i saj. Mendova se ishin pamje që në sytë e botës na tregonin një popull jo fort të kulturuar.
Por nuk ishte faji i turmës për atë që ndodhi. Monumenti mund të ishte hequr me kohë, që kur doli opozita, pa pritur të ndodhte ajo “shfaqje alla shqiptare”. Kishte ndodhur pak kohë më parë me shtatoren e Stalinit në Parkun “Rinia” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që ishte hequr natën pa zhurmë. Ata që e kishin në dorë ta bënin këtë, nuk e kishin bërë, përkundrazi, kishin bërë të kundërtën, duke nxjerrë dekrete për ta mbrojtur “udhëheqësin” nga populli. Nuk ishte hera e parë dhe as e fundit që udhëheqja komuniste i linte gjërat të acarohehsin deri në minutën e fundit.
Ata që rrëzuan
Nga doli e gjithë ajo masë e madhe njerëzish që u pa në Shesh? Nga mbiu i gjithë ai lumë urrejtjeje ndaj udhëheqësit “legjendar”? A ishte ky një shpërthim i çastit, apo një akumulim i vjetër, i vetëdijshëm, i kahershëm, që dilte në shesh pikërisht tani në formë të papërmbajtur? Ishte e vështirë t’i përgjigjeshe aty për aty këtyre pyetjeve, megjithatë, disa gjëra kuptoheshin.
Sa ishte gjallë Enver Hoxha, thuhej se nuk lejonte të teprohej me emrin e tij. Ai shfaqej rrallë edhe në televizor. Ai ishte “kundër” kultit të individit. Por pas vdekjes, për një periudhë të shkurtër kohe, emri mbiu kudo: Universiteti i Tiranës “Enver Hoxha”, Akademia Ushtarake “Enver Hoxha”, Kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha”, Hidrocentrali i Fierzës “Enver Hoxha”, Muzeu “Enver Hozha” etj. Monumenet dhe bustet e tij mbinë si këpurdhat pas shiut në Tiranë, Gjirokastër e gjetkë. Kulti i Hoxhës po ngrihej në qiell. Piramida e ngritur në mes të Tiranës kishte thithur shumë nga djersa e atij populli që nuk ngopte dot barkun me bukë dhe merrte ushqimet me triska. Ajo u sillte ndër mend atyre piramidat e Egjyptit të lashtë, ku ishin sakrifikuar miliona jetë skllevërish.
Që nga viti 1972, me Festivalin e Njëmbëdhjetë në Radiotelevizion, vendi ishte kthyer në kasaphanë të luftës së klasave. “Grupet armiqësore” në kulturë, ekonomi, mbrojtje, naftë etj “zbuloheshin” gjithandej. Me mijëra individë dhe familje që deri dje ishin të nderuara, tani kalonin në “satërin” e pushtetit, të burgosur, të internuar ose të zhdukur pa gjurmë. I asfiksuar ekonomikisht nga prishja me kinezët dhe nga politikat katastrofike ekonomike, si dhe nga mungesa e ideve për të dalë nga kjo situatë, sistemi nuk kishte çfarë të ofronte tjetër, përveç kufomave të luftës së klasave. Revolucioni po hante veten e vet. Në fshat u zhduk çdo element i pronës private në blegtori dhe në çdo prodhim tjetër bujqësor. Kjo çoi në divorcin përfundimtar të fshatarësisë dhe jo vetëm, me sistemin komunist allashqiptar.
Gënjeshtër e vejushes Hoxha
U ktheva në gazetën ku punoja prej disa muajsh, “Zëri i popullit”. As kur shkova te Pallati i Kulturës dhe as në kthim për në gazetë nuk pashë autoblinda prapa Muzeut Historik, siç shprehet Nexhmije Hoxha në kujtimet e saj për ngjarjen. Mjete të tilla luftarake atëherë dilnin nga kapanonet rrallë dhe natën, kur kishte stërvitje komplekse të ushtrisë. E fshehur në Dajt nga frika e turmës, pas daljes nga mbledhja e Komitetit Qendror, ndoshta atë e kanë keqinformuar, duke i treguar përralla me autoblinda. (“Autoblindat ishin pas Muzeut Kombëtar, por nuk vepruan”). Po edhe sikur të kishte patur tanke e autoblinte atje, a mund të qëllohej mbi masën e madhe të njerëzve në Shesh për një copë bronxi? Monumenti nuk mund të mbrohej as me avionë e me tanke nga ajo urrejte e madhe popullore për të. Do të ishte vetëm një kasaphanë e kotë, një marrëzi e pafund, nga e cila nuk do kishte shpëtuar as vetë vejusha Hoxha.
(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)

















