“Në kryeqytet të Shqipërisë, të cilën mundimë ta quajmë Skënderbegas… Përveç shkollave të dyta e të treta do të jetë një shkollë ushtërije me këtë emër, më pastaj duhet të hapenë: një në Shqipërinë e Sipërme, e një në të Poshtërmet”, shkruante rilindësi Sami Frashëri në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, ku shprehu edhe idenë e një shkolle ushtarake, që u themelua më 28 mars 1945.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave shprehet se shkolla e mesme ushtarake “Skënderbej” u hap pranë shkollës së perfeksionimit të oficerëve. Fillimisht u emërtua “Shkolla e pionierëve ushtarakë” dhe më pas, në vitin 1947, mori emrin “Shkolla e mesme e përgjithshme ushtarake Skënderbej”. Në dallim nga shkollat e tjera ky institucion arsimor ishte në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Mbrojtjes. Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin djem të moshës 10-18 vjeç, ndërsa pas këtij viti nxësit mund t’i bashkoheshin katedrës vetëm në moshën 14-vjeçare.
Vendosja e emrit “Skënderbej” kishte kuptim sa historik, aq edhe simbolik, nder dhe respekt për brezat e rinj. Kontingjentet e para që u dërguan në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve u diplomuan në vitin 1949, ndërsa maturantët e parë në vitin 1953. Në vitet që pasuan, numri i nxënësve erdhi në rritje, shoqëruar me ndryshime të mëdha në forme dhe përmbajtje. Në këtë kuadër, periudha 1947-1953 përcaktoi qartë fizionominë, misionin dhe rrugën e zhvillimit të shkollës për të ardhmen.
Për gati gjysmë shekulli (1945–1992) nga kjo shkollë dolën rreth 32 mijë nxënës, kontingjente për Shkollën e Këmbësorisë, Aviacionit dhe Marinës. Shkolla u mbyll në vitin 1992.

















